Shuhet nobelisti Dario Fo

13/10/2016 00:00

Shuhet në moshën 90 vjeçare nobelisti italian Dario Fo, një prej figurave më novatore të artit dhe letërsisë, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit. Mjekët e spitalit ku ndërroi jetë bëjnë të ditur se shkaku që një problem i rënduar në mushkëri.

Prodhimtaria artistike e Dario Fo, që përfshinte mbi njëqind komedi, romane, monografi, veprimtaria si aktor, regjisor, skenograf, e politikan, e kishte bërë një prej personazheve më të njohur italiane të kohëve moderne. Ai pati punuar deri përpara pak ditësh, më 20 shtator pati prezantuar veprën e tij të fundit “Darwin. Por jemi majmunë nga nëna dhe babai”. Të afërmit rrëfejnë se në këto vite, megjithë moshën e thyer ai kishte një lloj etheje krijuese, si një vrapim kundër kohës.

Bashkë më të shoqen, aktoren dhe shkrimtaren Franca Rame, Dario Fo pati shkelur për rreth 60 vjet skenat më alternative, por edhe ato më të njohura të botës, duke çuar kudo një komedi inteligjente, tekste të mahnitshme me tematika universale me një gjuhë të rrallë e të mprehtë. Në vitin 1997 suksesi i tij u kurorëzua nga çmimi Nobel për Letërsinë

Vitet e fundit pati mbështetur me forcë lëvizjen “Pese Yjet të Beppe Grillos”, forca politike alternative italiane dhe në çdo turn zgjedhor ai pati marrë qëndrim aktiv, madje një herë pati vënë dhe kandidaturën për kryebashkiak i Milanos.

Top Channel