Boldrini në Tiranë, kryeparlamentarja italiane: Pasaporta emigrantëve shqiptarë

13/10/2016 00:00

Laura Boldrini rikthehet në Shqipëri pas gati 17 vitesh, që nga koha kur ajo shërbeu në misionet humanitare në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës, por këtë herë si Presidente e Dhomës së Deputetëve në Itali.

Në takim me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, të dy theksuan marrëdhëniet shumë të mira mes vendeve. Por pavarësisht këtyre marrëdhënieve, Italia vijon ende të diskutoi ligjin për nënshtetësinë, çka do t’i jepte mundësi shumë shqiptarëve ta përfitonin atë. Por Boldrini ishte shumë e qartë në qëndrimin e saj.

“Miratimi i këtij ligji është në interesin e vendit. Dhe sigurisht pra që ky është një ligj i rëndësishëm për vendin, kjo për sa i përket integrimit dhe mendoj se kush lind në Itali dhe kush jep kontribute në Itali, dhe që në një farë mënyrë i përket kulturës tonë, të gëzojë të drejtën e shtetësisë. Sepse duke gjithëpërfshirës, dhe jo duke përjashtuar, krijojmë një shoqëri edhe më të sigurt”, tha Boldrini.

E pyetur nga Top Channel lidhur me një tjetër çështje ende të pazgjidhur, atë të pensioneve të emigrantëve, Boldrini u mundua ta përfshijë në të njëjtën paketë ligjore, duke mos dhënë një përgjigje.

“Edhe për pensionet, kjo çështje bën pjesë në këtë paketë ligjore, sepse gjithsesi të rinjtë që studiojnë dhe që marrin kulturën italiane, gjithashtu duhet të gëzojnë edhe pensionin. Por gjithashtu është dhe një koncepti i shoqërisë, pra një koncept gjithëpërfshirje të shoqërisë. Pra të vendosësh përkrah të rinjve edhe të moshuarit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre”.

Më pas, Presidentja e Dhomës së Deputetëve është drejtuar për në Presidencë, ku është dekretuar nga kreu i shteti me Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” , për kontributin e dhënë në përballimin e krizës humanitare në vitet 1997-1999 në veri të Shqipërisë.

Boldrini ju drejtua me një fjalë edhe Parlamentit të Shqipërisë, ku mbështeti reformat e ndërmarra, duke veçuar atë në sistemin e drejtësisë dhe duke konfirmuar dhe një herë mbështetjen e plotë të Italisë në hapat e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Top Channel