Berisha: Krimi mbizotëron. Qeveria shkel mbi “Çamërinë”. Reagon Tahiri

13/10/2016 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur në Parlament ka deklaruar se krimi mbretëron sot në çdo cep të Shqipërisë. Në seancën plenare, Berisha ka thënë se, “nuk mund të flitet me këtë mazhorancë, pasi e ka çmendur pasuria”.

“Vrasja e Arditit në landfillin e Sharrës është një krim qeveritar. Edi Rama deri tani nuk e ka shqiptuar emrin e Arditit. Ky akt tregon se paratë e krimit po sundojnë çdo ditë”, ka thënë Berisha.

Lidhur me këtë çështje, ai i ka bërë thirrje prokurorisë që të përfshijë në dosje edhe ndërhyrjet e qeverisë që penguan sipas tij investigimin e mediave televizive.

Më tej Berisha nuk ka lënë pa prekur edhe çështjen e narkotikëve, duke thënë se, “në Shqipëri është futur “Krokodili”, një drogë e re fatale”.

Ish-kryeministri ka prekur edhe atë çështje që së fundmi ka vënë përballë partnerët e koalicionit qeverisës. “Qeveria socialiste që erdhi pas nesh u thotë grekëve që nuk ekziston çështja çame. Nuk mund të thuhet se çështja çame nuk ekziston, nuk mund të shkelësh mbi gjakun e çamëve”, ka vijuar Berisha, për të shtuar se problemet me fqinjët sot janë më serioze se më parë.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, iu përgjigj Berishës duke thënë: “Më vjen keq që ish-kryeministri çohet dhe flet për lirinë e mediave, pasi ishte ai që digjte redaksitë e mediave”.

Tahiri shtoi se politika duhet të luftojë që në sallën e Parlamentit “të fitojë morali”.

“Të luftojmë që në këtë sallë të fitojë morali. Kjo sallë është bërë sot salla më e ulët”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Top Channel