Arrest ushtarëve të Shullazit, kapen në dyert e burgut. Shkuan për të takuar “kapon”

13/10/2016 00:00

Endrit Zela i afërmi i Emiliano Shullazit, i cili sapo mbaroi takimin 15 minutësh me të në paraburgimin 313 e prisnin prangat e policisë. Të njëjtin fat pati edhe shoku i tij Endrit Qyqja, i cili ndërsa po pinte kafe përballë paraburgimit po vrojtohej nga agjentë të grupit operacional derisa të përfundonte operacioni.

Dy të rinjtë u arrestuan menjëherë pas një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda që miratoi kërkesën e Prokurorisë “arrest me burg” ndaj tyre për dyshimet se janë anëtarë të grupit kriminal të Emiliano Shullazit.

Ka dyshime se ata kanë qenë të pranishëm kur Shullazi ka kërcënuar një biznesmen në Tiranë për dhënie pasurie thotë Prokuroria.

Ka qenë pikërisht i dëmtuari, i cili pas disa muajsh veprimesh hetimore ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit e duke treguar se në kohë të ndryshme është kërcënuar e dhunuar.

Biznesmeni është marrë në mbrojtje nga autoritetet, ndërkohë që rezulton se prej disa muajsh edhe dy të dyshuarit e fundit kanë qenë nën përgjim dhe vëzhgoheshin nga policia.

Prokuroria e Përgjithshme pohon se Qyqja dhe Zela, në bashkëpunim me Emiliano Shullazin dhe Gilmando Danin dhe për llogari të tyre, i kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash biznesmenit përmes kërcënimit dhe dhunës fizike.

Veprimet hetimore tregojnë se Shullazi dhe Dani ka dyshime t’i kenë marrë shumën biznesmenit dhe në disa raste kërcënimi për dhënie pasurie kanë qenë të pranishëm dhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Përmes rrëfimit të biznesmenit, Prokuroria ka edhe faktin që mes kërcënuesve dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale.

Top Channel