Ndërron jetë ikona e cirkut shqiptar, Telat Agolli

13/10/2016 00:00

Mëngjesin e ditës së sotme, 13 tetor 2016, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Telat Agolli, një nga figurat më të shquara të artit të cirkut në Shqipëri.

Agolli, i cili prej vitesh kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara, ka qenë ndër të parët artistë akrobatë i inkuadruar në Trupën e Estradës së Tiranës, në vitin 1952, si profesionist.

Ministria e Kulturës i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe sidomos Cirkut Kombëtar, artistët e të cilit janë vazhdim i shkollës së mjeshtrit Telat Agolli.

Lindur më 15 shkurt 1932, gjatë karrierës së tij, Agolli ka qenë edhe kampion kombëtar absolut për 20 vjet, 1950-1972, në ngritje peshe, me 99 rekorde kombëtare.

Ai është nderuar me shumë tituj si: mjeshtër sporti, mjeshtër i Merituar i sportit, Nder i sportit shqiptar dhe Nder i sportit të peshëngritjes në vitin 2010.

Gjithashtu, ai ka marrë edhe një seri vlerësimesh si Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Shqiptar, kupa dhe medalje të ndryshme, dhënë në spektakle artistike e ceremoni sportive.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel