Basha: Gati marshimi pa kthim kundër tiranisë së krimit

13/10/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi nje bashkëbisedim me drejtues të strukturave të kësaj partie në Cërrik. Në fjalën e tij, Basha u ndal në shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge gjatë këtij viti, një realitet i cili ka pushtuar faqet e para të mediave ndërkombëtare.

Lidhjet e qeverisë me krimin dhe mbrojtja që Edi Rama dhe Saimir Tahiri u japin trafikantëve, theksoi kryetari i PD, kanë shndërruar mijëra qytetarë që rropaten për një copë buke në argatë-skllevër në parcelat e hashashit.

“Droga është kthyer në një kërcënim serioz për të rinjtë dhe statistikat tregojnë rritje të përdorimit të drogës. Vendin e intelektualëve e kanë zënë trafikantët”, tha Basha, i cili apeloi për krijimin e një aleance të madhe qytetare kundër drogës dhe krimit në pushtet.

“E zeza që kemi përballë shkon përtej përballjes tradicionale mes së djathtës dhe së majtës. Përballë kemi krimin, korrupsionin, arrogancën e paimagjinueshme që prej kohës se diktaturës, që jo vetëm të vjedh e të poshtëron, por pastaj edhe të tall e të përqesh. Çdo qënie njerëzore me dinjitet minimal nuk e pranon këtë, ndaj bëjmë thirrje dhe kërkojmë të formojmë një front të bashkuar me Partinë Demokratike”, tha Basha.

Nëse na bashkon dekriminalizimi, lufta kundër drogës dhe vota e lirë, u shpreh ai, “nuk duhet të kemi asnjë ngurrim të bashkëpunojmë me këdo, për t’u përballur dhe fituar kundër dikujt që bashkëpunon me të gjithë përveç qytetarëve”.

“Bashkëpunon me krimin, bashkëpunon me horrat, bashkëpunon me trafikantët, me narkotrafikantët dhe banditët. Ndaj është koha e një bashkimi të madh, e një aleance të madhe qytetare. Partia Demokratike është gati dhe ne e nisim marshimin tonë pa kthim për përmbysjen e tiranisë së krimit dhe varfërisë dhe kthimin e Shqipërisë në një vend normal, ku qeveria iu shërben njerëzve dhe jo anasjelltas”, shtoi Basha.

Top Channel