Fushata “seksuale”, dy femra akuzojnë Trump-in

13/10/2016 00:00

Vazhdojnë akuzat për abuzime seksuale në kuadër të fushatës elektorale në SHBA, duke bërë që gara e këtij viti të thyejë padyshim një rekord negativ në këtë kuadër.

Dy femra deklaruan për gazetën “New York Times” se Donald Trump i preku në mënyrë të pahijshme, akuza që mohohen nga miliarderi.

Një prej femrave, 74-vjeçarja Jessica Leeds tha se ishte në të njëjtin fluturim me Trump më shumë se tre dekada më parë, kur ai e preku në trup duke e detyruar që të ndërrojë vendin. Femra e dytë, 33-vjeçarja Rachel Crooks tha se punonte si recepsioniste tek kulla Trump në Nju Jork në vitin, 2005, kur Trump e puthi në buzë kundër vullnetit të saj.

I menjëhershëm reagimi i fushatës së Trump, sipas së cilës i gjithë artikulli i gazetës dhe fjalët e dy femrave ishin gënjeshtra. Zëdhënës të Trump thanë se “New York Times”, përmes artikullit, po përpiqet që me gënjeshtra të dëmtonte karakterin e kandidatit republikan. Në artikull shkruhet se dy femrat në fjalë nuk i raportuan këto incidente me Trumpin tek autoritetet në kohën kur ndodhën, por thanë se s’mund të rrinin pa folur tani që ai kandidon për presidencën.

Kjo ka ngritur dyshime tek mbështetësit e Trump, të cilët thonë se biznesmeni njujorkez bën fushatë prej një viti, por këto akuza bëhen pasi Trumpi sulmoi ashpër Hillary Clinton për sjelljet e pahijshme të bashkëshortit të saj Bill dhe pas publikimit të një video ku Trump bën komente ofenduese për femrat.

Ditë më parë, Trump u shfaq në publik me disa femra që akuzonin Bill Clinton-in për abuzim seksual dhe Hillary-n që kishte mbuluar sjelljen e tij dhe akuzat e fundit ndaj Trump janë cilësuar thjesht një përpjekje për hakmarrje.

Fushata e Trump tha se edhe më naivi e kupton që këto femra po gënjejnë për të dëmtuar kandidatin dhe se fjalë e tyre nuk kanë asnjë vlerë. Por s’është e këtij mendimi Hillary Clinton, e cila përmes zyrtarë të fushatës së saj deklaroi se dëshmitë e dy femrave për “New York Times”, tregojnë se komentet ofenduse të Trump në videon e publikuar pak ditë më parë, janë më shumë se sa vetëm fjalë.

Ndërkohë, një pjesë e analistëve mendojnë se akuza të tilla nga të dyja krahët po dëmtojnë fushatën, pasi e kanë larguar vëmendjen nga oferta presidenciale e secilit kandidat dhe e kanë përqendruar tek akuza që s’kanë për t’u vërtetuar kurrë.

Top Channel