Kuvend, Idrizi: S’ka varreza greke pa ato të Çamërisë. Kritika Metës

13/10/2016 00:00

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke folur për çështjen çame në seancë plenare ka deklaruar se ajo nuk i përket së shkuarës.

“Genocidi ndaj kujtdoqoftë i përket së sotmes, jo së shkuarës. Ajo që duam të bëjmë ne është t’i falim persekutorët dhe të pranojmë ndjesën. Por as këtë mundësi nuk dëshirojnë të na e japin, sepse thonë se çështja çame nuk ekziston”, ka thënë Idrizi, sipas të cilit kjo çështje nuk mund të trajtohet kështu.

“Jo, nuk i përket së shkuarës, ashtu sikurse nuk i përket Holokausti dhe nazistët vazhdojnë të ndiqen edhe sot. Kjo çështje i përket së sotmes. Çështja çame është çështje e ditës dhe për këtë u ndërgjegjësua edhe Komisioni Europian”, ka vijuar Idrizi.

Ai ka theksuar se, pas mbështetjes së Brukselit për këtë çështje, klasa politike shqiptare nuk mund të qëndrojë më apatike.

“Rezoluta për shqiptarët e Çamërisë për të shkuarën, është rezolutë për të sotmen. Presidenti i Greqisë nuk ia lë çështjen e varrezave të shkuarës, por së ardhmes”, ka thënë Idrizi, i cili i ka drejtuar një mesazh edhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

“Askush nuk u ndje. Do të ishte e udhës të kërkonit të paktën varret për shqiptarët e Çamërisë. Të vdekurit e çdo kohe trajtohen me respekt”, ka vijuar kreu i PDIU-së, i cili ka paralajmëruar:

“Nëse nuk lejohet ndërtimi varrezave çame në Greqi, asnjë varrezë e ushtarëve grekë nuk do të ndërtohet në Shqipëri. Unë nuk do t’i lejoj”, ka thënë Idrizi.

Ai ka njoftuar ndërmarrjen e një nisme për regjistrimin ADN-së me qëllim identifikimin e të zhdukurve gjatë genocidit çam.

Top Channel