Legjenda e letrave shqipe, Dritëro Agolli mbush 85 vjeç

13/10/2016 00:00

13 tetori shënon 85-vjetorin e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, datë e cila është kremtuar në Akademinë e Shkencave përmes një konference jubilare, në të cilën morën pjesë akademikë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

“Dritëroi e nderoi emrin dhe veprën e tij, e cila mund të quhet një prej veprave më iluminuese në të gjithë historinë. Të rrallë janë shkrimtarët që kanë krijuar për një kohë kaq të gjatë, jo vetëm në historinë e Letërsisë shqiptare, por edhe atë europiane e më gjerë”, deklaroi Muzafer Korkuti, kryetar i Akademisë së Shkencave, Tiranë.

Enkas nga Parisi, profesor Aleksandër Zoto vlerësoi veprën e Agollit, teksa shtoi se botimin tjetër mbi veprën e shkrimtarit do ta sjellë për publikun vitin e ardhshëm.

“Në dritaret e saj përherë të hapura ndaj zhurmës së botës, vepra poetike e Dritëro Agollit, paraqitja në tërësi e saj, si një simfoni a rapsodi tipikisht shqiptare, prek në thelbin e saj çështje themelore të jetës njerëzore dhe të fatit tonë”, u shpreh profesor Aleksandër Zoto, Universiteti “Saint Etienne”, Francë.

Në hollin e Akademisë së Shkencave u çel edhe një ekspozitë me veprat e shkrimtarit, ndërsa aktivitetet në nder të tij do të vijojnë në Teatrin Kombëtar me mbrëmjen “Dritëro”, me krijimtarinë artistike ndër vite të vet shkrimtarit.

Top Channel