Akuzat për krime lufte, Putin: Retorikë pa vlerë

13/10/2016 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë sugjerimet se Rusia mund të përballet me akuza për krime lufte për shkak të bombardimeve në Alepo. Ai deklaroi për një media franceze se akuzat ishin thjesht retorikë dhe nuk marrin në konsideratë realitetin në Siri.

Më herët, presidenti francez François Hollande sugjeroi se sulmet ajrore ruse në Alepo mund të jenë krime lufte. Zonat lindore të qytetit të dytë më të madh në Siri janë nën bombardim të ashpër pas dështimit të armëpushimit muajin e shkuar. Putin deklaroi për televizionin TF1 se Rusia do të përndjekë terroristët edhe nëse ata fshihen mes civilëve.

“Nuk mund të lejojmë që terroristët të përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe t’i bëjnë shantazh të gjithë botës”, deklaroi Putin, duke shtuar se viktimat civile janë një realitet i hidhur i luftës. Duke hedhur poshtë akuzat se Rusia po bën krime lufte në Alepo, Putin tha se vendet perëndimore, me në krye SHBA, janë përgjegjëse për situatën në Siri.

Putin foli edhe për rezolutën franko-spanjolle, ndaj të cilës Rusia përdori veton në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se rezoluta u përdor vetëm për të përshkruar Rusinë si personazhin negativ, pasi të gjithë e dinin se ajo s’mund të miratohej. Por, pavarësisht akuzave për situatën në Alepo dhe dështimin e armëpushimit, mësohet se Rusia dhe SHBA do të rifillojnë bisedimet për Sirinë. Pritet që të shtunën kryediplomati amerikan John Kerry të takohet në Zvicër me homologun e tij rus Sergei Lavrov. Në takim do të marrin pjesë edhe fuqi të tjera rajonale si Turqia, Irani dhe Arabia Saudite.

Top Channel