Meta pret Boldrinin, zyrtarja italiane: Mbështetje për në BE

13/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur këtë të enjte në një takim homologen e tij italiane, Laura Boldrini, me të cilën ka diskutuar për proceset integruese të vendit tonë dhe çështje të tjera.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Meta ka deklaruar se kjo vizitë rikonfirmon marrdhëniet “e shkëlqyera” dypalëshe dhe parlamentare.

“I shpreh zonjës Boldrini mirënjohjen tonë për mbështetjen e veçantë që Italia i jep Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Italia ka qenë avokatja e Shqipërisë dhe ne mbështetemi tek ajo për hapin e ardhshëm, që është hapja e negociatave. Kam njohur zonjën Boldrini me progresin e realizuar në përmbushjen e kritereve të BE, sidomos për reformën në drejtësi. Kemi rënë dakord që dy parlamentet tona për çeljen e negociatave të rrisin bashkëpunimin e tyre”, ka thënë Meta.

Sa u takon marrëdhënieve ekonomike, kreu i Kuvendit ka vlerësuar se, heqja e taksës së qarkullimit i jep frymëmarrje kompanive shqiptare të transportit drejt Italisë.

Në të njëjtat linja, kryetarja Boldrini ka rikonfirmuar mbështetjen dhe ka vlerësuar hapat e ndërmarrë nga klasa politike shqiptare në reformën në drejtësi.

“Siç dihet, Italia e ka mbështetur gjithmonë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe konsideroj pozitiv procesin kushtetues që keni ndërmarrë në kuadër të reformimit të drejtësisë”, ka thënë Boldrini.

Ndër të tjera zonja Boldrini ka vlerësuar ecurinë e komunitetit shqiptar në Itali, për të cilin ka thënë se ka arritur të integrohet më së miri dhe të kontribuojë në mirëqënien e Italisë. Në këtë drejtim, ajo ka theksuar se, “kjo është një përgjigje e mirë për ata që duan të krijojnë margjinalizime”.

“Është shembull i integrimit të emigrantëve për vendet që përballen me fluksin e emigrantëve me mure me tela me gjemba”, ka thënë Boldrini.

Ndër të tjera zyrtarja e lartë italiane ka shprehur interesin e bizneseve italiane për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë dhe ruajtjes së mjedisit.

Ndërsa duke iu përgjigjur interesit të mediave, kryeparlamentarja italiane ka vlerësuar se, “është në interesin e përbashkët të dy vendeve tona të luftojmë trafikun e narkotikëve, të emigrantëve dhe të menaxhojmë mirë fluksin e tyre”.

Top Channel