Aksident i rëndë në autostradën Tiranë-Durrës, 4 viktima

13/10/2016 08:00

Greta Sherifi, Izabela Gega dhe Elona Xhuti ishin tre shoqe të ngushta. Në rrjetet sociale ato shpesh publikonin foto së bashku, duke udhëtuar, në makinë apo në lokale.

Mëngjesin e së enjtes ato po udhëtonin drejt Greqisë kur pranë kthesës së Sukthit, në autostratën Tiranë-Durrës i doli përball një automjet që i aksidentoi për vdekje.

Nga përplasja e fortë humbi jetën edhe Dashnor Deliallisi që drejtonte automjetin tjetër tip “Benz” që lëvizte në drejtim të kundërt të autostradës.

Aksidenti ndodhi rreth orës 4:15 të mëngjesit të së enjtes, ndërsa për nxjerrjen e trupave nga mjetet është dashur edhe ndërhyrja e zjarrfikësve.

Policia ende nuk ka përcaktuar daljen nga ku mjeti që drejtohej nga 36-vjeçari Dashnor Deliallisi baba i 2 fëmijëve dhe emigrant në Itali, ka hyrë kundërvajtje në autostradë duke u bërë shkaktar i aksidentit fatal. Në këtë zonë janë 3 rrugë dalëse në autostradë, ndërsa policia po këqyr kamerat e sigurisë së disa bizneseve për të hedhur në shumë dritë mbi aksidentin.

Nga trupi i Deliallisit janë marrë kampione gjaku që do t’i nënshtrohen analizave pasi nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë në gjendje te dehur ose nën efektin e narkotikëve.

Një pikë kontrolli e policisë e ka konstatuar makinën kundërvajtje në autostradë, por e ka patur të pamundur ndjekjen e saj. Zgjidhja e vetme ka qenë lajmërimi i shërbimeve të tjera, por aksidenti tragjik për fat të keq nuk u parandalua dot.

Në aksin ku ndodhi aksidenti mungon ndriçimi, por drejtori i standardeve në Autoritetin Rrugor, Spartak Tarka thotë për Top Channel se rruga ka sinjalistikën e duhur.

“Këtu mungon ndriçimi, por nuk është kusht i domosdoshëm. E rëndësishme është që rruga të ketë elementët e sigurisë rrugore, që janë vizimi horizontal dhe elementë të sinjalistikës”, shprehet Spartak Tarka.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel