Abuzimi me të miturat, OKB: Çdo vit 5 milionë martesa të detyruara

12/10/2016 00:00

Miliona vajza të mitura dhe gra fare të reja në moshë nëpër botë janë pre e abuzimeve, diskriminimeve, ose të martesave të detyruara në moshë të njomë.

Me rastin e Ditës Botërore të vajzave, OKB dhe organizata të tjera humanitare bëjnë thirrje për angazhim serioz në mbrojtjen e të drejtave të grave të reja, duke publikuar shifra alarmante mbi fenomenin.

“Sot në botë janë mbi 700 milionë gra të martuara në moshë të mitur dhe që u është dashur të heqin dorë nga rritja normale, fizike dhe mendore. Çdo vit 15 milionë martesa kanë si protagoniste një vajzë të mitur. 1 në 3, që në tërësi përbëjnë 5 milionë raste, bëhet fjalë për një vajzë më pak se 15 vjeç, të cilave shpesh herë u është dashur të përballen me shtatëzëni të parakohshme dhe dhunë në familje”, ka deklaruar shefi i UNICEF në Itali, Giacomo Guerra.

Guerra ka theksuar se arsimimi i vajzave është investimi më i fuqishëm që një komb mund të bëjë, pasi një gjë e tillë përshpejton luftën kundër varfërisë, sëmundjeve, pabarazisë dhe diskriminimit gjinor.

Një tjetër e dhënë tronditëse është se rreth 70 mijë vajza, të moshave nga 15 në 19 vjeç, humbin jetën për shkak të komplikacioneve që verifikohen gjatë shtatëzënisë dhe lindjes.

Gjithashtu, vajzat nën moshën 15 vjeç kanë 5 herë gjasa më shumë që të vdesin gjatë shtatëzënisë krahasuar me gratë nga 20 deri në 29 vjeç.

Top Channel