Këshilli i Ministrave fal detyrimet e papaguara të ish-ushtarakëve

12/10/2016 00:00

Në mbledhjen e fundit të saj, qeveria shqiptare ka vendosur që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të evidetentojë për çdo përfitues faljen e detyrimeve të papaguara për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve dhe punonjësve të policisë.

Vendimi vjen në bazë të ligjit të miratuar këtë vit nga Parlamenti, i cili u fali ish-ushtarakëve një detyrim prej gati 1 miliard lekësh, i cili gjendej në skemën e pensioneve.

Po ashtu, ky institut duhet të bëjë evidentimin në kartela të veçanta financiare të detyrimeve të paguara tashmë nga disa përfitues, nga dhjetori 2010 deri në prill 2016.

Këto shuma i kthehen çdo kreditori të shpallur në këste të barabarta, në periudhën nëntor i këtij viti deri në maj 2017. Në total duhet të kthehen rreth 370 milionë lekë.

Personat e interesuar dhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes brenda tetorit duhet të paraqesin në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dokumentacionin përkatës, që është vërtetimi për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese.

Top Channel