Bizneset serbe, me sytë nga Shqipëria

12/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama do të shoqërohet në Beograd nga një grup i madh përfaqësuesish të biznesit. Prania e tyre ka shtuar interesin e biznesit serb për të vendosur kontakte dhe mbi 300 përfaqësues të këtij biznesi janë regjistruar për të takuar homologët shqiptarë.

Danica Millovanoviç është organizatore e këtij takimi që do të mbahet në qytetin e Nishit. Ajo thotë se biznesi serb interesohet në shumë fusha, pasi Shqipëria është një treg i ri.

“Shkëmbimi tregtar është i disbalancuar në favor të Serbisë. Pas këtyre takimeve shpresojmë që të krijojmë kontakte të reja në mënyrë që të rrisim përfitimet për të dy vendet. Duhet të shfrytëzojmë marrëveshjet si CEFTA, që nuk shfrytëzohen mjaftueshëm”, thotë Millovanoviç.

Gjatë takimeve në të cilat do të marrin pjesë edhe dy kryeministrat, do të themelohet edhe dhoma e tregtisë mes dy vendeve, që do të këtë zyrat në Tiranë.

Në kërkim të tregut të përbashkët, besohet se kjo dhomë mund të luajë një rol me rëndësi.

“Bizneset mund të organizojnë takime, të marrin pjesë nëpër panaire dhe të ndikojnë në çështjet e legjislacionit në të dyja vendet”, thotë organizatorja Millovanoviç.

Agjenda e forumit është e përqendruar në takime mes bizneseve dhe krijimin e partneriteve të reja. Përkundër paragjykimeve, organizatorët ende nuk e kanë mbyllur listën.

Top Channel