Mund të ngjasojë më shumë me skenarin e një filmi fantastiko-shkencor, por “populli i parë hapësinor” mund të bëhet realitet brenda pak dekadave.

Të paktën ky është plani i një grupi shkencëtarësh ndërkombëtarë, të cilët njoftuan nisjen nga puna për ndërtimin e një “anijeje gjigante hapësinore”.

Grupi i shkencëtarëve njoftuan se procesi i ndërtimit të “kombit hapësinor”, që e kanë pagëzuar me emrin “Asgardia” do të nisë gushtin e vitit të ardhshëm me lëshimin në hapësirë të satelitit të parë.

Udhëheqësit e projektit thonë se në faqen zyrtare të Asgardias mund të regjistrohet kushdo që dëshiron të bëhet qytetar i “kombit hapësinor”, ku fillimisht do të pranohen 100 mijë aplikuesit e parë.

Igor Ashurbeyli, shkencëtar dhe themelues i Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare Hapësinore, tha nga Parisi se synimi është edhe ngritja e një korrace që do të mbrojë “kombin hapësinor” nga asteroidët dhe trupa të tjerë qiellorë.

“Projekti përbëhet nga tri pjesë, filozofike, ligjore dhe shkencore e teknologjike”, thotë shkencëtari Igor Ashurbeyli.

Ambicia e tij është që jo vetëm të themelojë Asgardian, por edhe ta anëtarësojë atë në Kombet e Bashkuara me të gjitha të drejtat që të njeh ky status. Ai thotë se përveç kësaj, Asgardia do të shërbejë edhe si një mburojë për popujt e tjerë që jetojnë në Tokë, duke i siguruar ata nga goditjet e asteroidëve në të ardhmen e ndoshta edhe vija e parë mbrojtëse ndaj një sulmi alien në të ardhmen e largët.

“Moto e Asgardias do të jetë Paqe dhe Hapësirë dhe do të ndalohet përthithja e konflikteve tokësore në hapësirën e këtij kombi”, thotë Dr. Ashurbeyli.

Shkencëtarët janë të vetëdijshëm për sfidat që paraqet ky projekt, por janë po aq besimplotë se me fondet e nevojshme mund ta realizojnë atë brenda pak dekadave.

Sa i takon emrit të përzgjedhur, ai mbërrin nga mitologjia vikinge, ku Asgardia do të thotë “qyteti i qiellit” dhe në të banon Odin, njëri prej zotave vikingë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel