Basha fton shoqërinë civile dhe mediat: Bashkë kundër së keqes

12/10/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar këtë të mërkurë se, kultivimi i hashashit tashmë i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe problemi është ndërkombëtarizuar.

“Shkrimi i Bill Cowan i bën thirrje presidentit të ardhshëm të SHBA-ve ta trajtojë me përparësi çështjen e drogës, si rrezikun kryesor për destabilizimin e Ballkanit dhe të nisë një hetim ndërkombëtar për përfshirjen e krerëve të qeverisë shqiptare në kultivimin dhe trafikimin e drogës”, ka deklaruar Basha.

Ndërkohë, ka vijuar ai, gazeta “Le Matin” tregon qartë se si kultivimi i drogës në Shqipëri bëhet në bashkëpunim të plotë dhe të hapur me një kontingjent oficerësh policie të korruptuar.

Më tej Basha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, mediave dhe gazetarëve kurajozë, që të bashkohen kundër këtij fenomeni.

“Të ndërtojmë një koalicion të madh vlerash që t’i kundërvihemi me të gjithë fuqinë e zërit tonë, të guximit tonë dhe të përgjegjësive tona, aleancës së krimit, aleancës së drogës që do të kapë dhe prishë zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Basha.

“Të gjithë së bashku, duke fituar betejën e dekriminalizimit, të ndalim këtë të keqe të madhe që përndryshe do ta përpijë të gjithë vendin tonë e do t’i shndërrojë fëmijët shqiptarë në përdorues droge dhe skllevër, siç janë sot, duke punuar si argat në fermën e madhe të drogës të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit”, ka shtuar Basha.

Ai ka paralajmëruar se, kjo përpjekje “do të nisë me një betejë të fuqishme nesër në Parlament, por do të vazhdojë me një konsultim dhe dialog të hapur me të gjithë këta faktorë shoqërorë”.

Top Channel