Dita e Ashures, besimtarët bektashianë kujtojnë martirët e Qerbelasë

12/10/2016 00:00

Besimtarë bektashinj morën pjesë në ceremoninë e festës së Ashures, ditën kur përkujtohen 72 të rënët në tokën e Qerbelasë. Kryegjyshi Botëror, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi besimtarët dhe shqiptarët për më shume paqe, dashuri dhe vëllazëri për të ecur në rrugën e Zotit.

“Jemi këtu sot për të kremtuar këtë ditë të madhe për botën islame. Është dita e martirizimit të 72 të rënëve në Qerbela, luftëtarëve të saj. Fusha e Qerbelasë u la me gjakun e 72 dëshmorëve, të cilët mundën diktaturën. Gjaku i derdhur i dëshmorëve të Qerbelasë është i paharrueshëm”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Pas ceremonisë dhe riteve të organizuara në selinë e kryegjyshatës botërore në Tiranë, Haxhi Baba Edmond Brahimaj priti vizita nga qindra besimtarë.

Traditë e kësaj ditë është edhe përgatitja e ashures, që në domethënien fetare simbolizon mirësinë që e ka prejardhjen nga çdo gjë që buron nga toka.

Top Channel