Kalimash, rrëshqitje dheu pranë minierës së kromit. Bllokohet rruga

12/10/2016 00:00

Mijëra banorë të zonës së Maziut në Kukës janë izoluar dhe nuk kanë asnjë mundësi për të komunikuar me qytetin, e shkak për këtë është bërë rrëshqitja e një masivi shumë të madh inertesh nga mali, në rrugën që e lidh zonën me Kukësin.

Shembja ndodhi nga rreshjet e forta të shiut që krijuan ortekun e baltës dhe gurëve.

“Pjesa e dytë, së cilës ne realisht po i përkushtohemi, është marrja e masave për zhbllokimin e kësaj rruge, e cila momentalisht është e bllokuar dhe ndoshta kjo situatë do të zgjasë edhe për pak kohë. Ne kemi dhënë menjëherë informacionin e duhur si shtab emergjencash në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile”, tha Mehmet Hilaj, ekspert.

“Nga reshjet e shumta që ka pasur këto ditë ka ndodhur një shembje masive në segmentin Fushë Dukagjin-Fushë Arrëz, në kilometrin 4.5, poshtë fabrikës së vjetër të pasurimit të kromit. Një sasi inertesh të depozituara nga fabrika kanë rrëshqitur poshtë dhe kanë bllokuar segmentin”, thekson Avdulla Domi, sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës Kukës.

Rruga e bllokuar është pjesë e rrugës së vjetër Kukës-Tiranë, e nëpërmjet saj banorës e zonës lidheshin me Rrugën e Kombit.

Top Channel