Kosovë, Kuvendi miraton rezolutën. Kërkohet lirimi i Thaçit

12/10/2016 00:00

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 51 vota pro, 13 kundër dhe 8 abstenime, rezolutën e propozuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, përmes së cilës kërkohet lirimi i drejtorit rajonal të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Pro rezolutës së Zemajt ishin deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe “grupit 6+”. Ndërkohë, rezoluta e propozuar nga deputeti Gëzim Kelmendi me mbështetjen e partive opozitare, nuk mori votat e nevojshme.

Por për çfarë bën thirrje kjo rezolutë?

Së pari, Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit. Së dyti kërkohet ndërhyrja e Bashkimit Europian ndaj qeverisë së Serbisë për arritjen e qëllimit. Sipas asaj që është shkruar në rezolutë, kërkohet që lirimi i tij të bëhet përmes zyrës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Më tej, Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë të ditur BE-së se veprime të tilla nga Serbia, në raport me institucionet apo qytetarët e Kosovës, po rrezikojnë përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e detyruar atë të veprojë me reciprocitet. Gjithashtu, përmes rezolutës i kërkohet angazhim të drejtpërdrejtë të misionit të EULEX-it, një mision me kompetenca të veçanta. Por kërkesat shkojnë deri tek “INTERPOL”-i, të cilit i kërkohet që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, ndërsa vet ai të heqë nga sistemi i tij fletarrestet politike të shpallura nga Serbia.

Top Channel