Reali “blindon” Kroos

12/10/2016 00:00

Reali i Madridit nuk ka ndërmend të lejojë Toni Kroos të largohet nga Spanja. Klubi “mereneges” po mendon të blindojë mesfushorin duke i përgatitur një kontratë të re.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “Bild”, Reali i Madridit po kërkon të rinovojë me Kroos deri në vitin 2022, ndërkohë që kontrata aktuale e tij përfundon në 2020. Gjithnjë sipas “Bild”, kontrata e re që do t’i ofrojë Reali mesfushorit Kroos do të përfshijë edhe rritjen e pagës në 20 milionë euro bruto për sezon, një shifër kjo që është pothuajse 2 herë më e lartë nga ajo që ai përfiton aktualisht.

Kjo kontratë e re e bën Kroos futbollistin gjerman më të paguar të të gjitha kohërave. Në këtë moment ai pozicionohet i katërti pas Muller, Schweinsteiger dhe Gundogan.

Kroos u transferua te Reali në verën e vitit 2014 për shifrën e 30 milionë Eurove. Në dy sezone me “Los Blancos”, gjermani ka zhvilluar 108 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola duke fituar edhe 1 Ligë Kampionesh, 1 Botëror Klubesh dhe 2 Superkupa Europiane.

Top Channel