“Mbetjet”, Nishani: Mos politizohen. Ricikluesit i kërkojnë të dekretojë ligjin

12/10/2016 00:00

Presidenti Nishani takoi përfaqësues të Industrisë së Riciklimit dhe anëtarë të Shoqatës së Ricikluesve, të cilët i kërkuan atij të dekretojë ligjin për mbetjet.

Ricikluesit në takim shpjeguan efektet negative që do të vinin nga mosdekretimi. Sipas ricikluesve, duke lënë mënjanë disinformimet dhe tentativat për përdorim politik, qëllimi dhe interesi i industrisë të riciklimit në vend nuk është thjesht aspekti ekonomik dhe zhvillimor, por edhe ai i ruajtjes së mjedisit.

Presidenti Nishani më parë ishte takuar me ambientalistët, të cilët kërkuan të kundërtën dhe Nishani kishte deklaruar se këtë ligj të tillë do prevalonte interesi publik. Ndërsa në takimin me ricikluesit, thuhet se Presidenti vuri në dukje se ka shumë nevojë, që për çështje të tilla të ndjeshme që përfshijnë shumë dimensione si ato të biznesit, ekonomik, strukturor, mjedisor, etj., zëri i aktorëve të ndryshëm të përfshirë të jetë më i fuqishëm.

“Çështje kaq thelbësore e të ndjeshme nuk duhen politizuar në mënyrë që pastaj ato të mos dështojnë”.

Kjo është deklarata e Presidentit që thuhet se ka vlerësuar industrinë e gjelbër. Kreu i shtetit garantoi pjesëmarrësit se ligjin në fjalë do ta trajtojë me shumë seriozitet dhe se do të mbajë një qëndrim sa më të argumentuar në raport me të, duke vazhduar ndërkohë edhe konsulta të mëtejshme me individë ekspertë të fushës.

Presidenca sqaron se ky takim konsultues, pas atij me aktivistët civilë, përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave si dhe ekspertë ligjorë e mjedisorë u zhvillua përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës, mbi çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve, që ka shkaktuar ndjeshmëri të madhe në opinion publik.

Top Channel