Dënohen në mungesë me nga 25 vjet burg dy vëllezër për vrasje

12/10/2016 00:00

50 vite burg për dy vëllezër, të cilët u shpallën fajtorë për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim, ka qenë vendimi i mesditës së mërkurës i Gjykatës së Tiranës.

Bëhet fjalë për Aleks Lalën (Totraku) dhe Antonio Lalën, të cilët u deklaruan fajtorë në mungesë për vrasjen e Agron Dervishit, ngjarje kjo e ndodhur në datën 2 janar të vitit 2013, në zonën e Kasharit. Motivet e këtij krimi dhe mënyra se si u zbardh ngjasojnë me skenarët e filmave.  Në analizë të provave të prokurorisë u krijua dyshimi se Agron Dervishi është vrarë për të përfituar nga pasuria e tij e tundshme dhe vlera monetare.

Hetimi zbuloi se një nga autorët e vrasjes, Aleks Lala Totraku, ka qenë i dashuri i bashkëshortes së të ndjerit. Për shkak të lidhjes, ai kishte dijeni mbi biznesin e viktimës në Itali në fushën e ndërtimeve si dhe vlerat monetare. Vrasja, e cila fillimisht u dyshua si një grabitje, mbeti e pazbardhur për rreth 11 muaj, kur rastësisht policia merr informacion se persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në ajër në zonën e Kamzës. Pasi shkoi në vend, policia konfirmoi se ishte qëlluar me armë në ajër në oborrin e familjes Lala dhe gëzhoja e gjetur në oborr doli e qitur nga e njëjta armë me të cilën ishte vrarë Agron Dervishi.

Lidhja intime mes të dyshuarit dhe bashkëshortes së viktimës, si dhe gëzhoja e gjetur, ndërtuan motivin e kësaj ngjarjeje, motiv i cili u përforcua edhe nga dëshmitë e familjarëve të tjerë të të ndjerit. Ndonëse gjatë gjykimit avokati i dy vëllezërve Lala, të shpallur në kërkim, pretendoi se motivet dhe gëzhoja ishin një inskenim, në fund gjykata vendosi t’i shpallë fajtorë vëllezërit, duke i dënuar secilin me nga 25 vite burgim.

Top Channel