Revolucion te Chelsea, ja plani i Abramovich

12/10/2016 00:00

Roman Abramovich nuk është i kënaqur me situatën aktuale të Chelsea-t. Për këtë arsye manjati rus po mendon që të bëjë një revolucion te Blute duke e kthyer vëmendjen tek ekipet zinxhir të klubit londinez. Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik “Daily Mail” që ka publikuar edhe planin e padronit të Chelsea-t në lidhje me këtë çështje.

Sipas “Daily Mail”, Abramovich kërkon që të fuqizojë akademinë e Chelsea-t duke qenë se numri i futbollistëve të dalë prej saj në ekipin e parë është shumë i ulët. Aktualisht Chelsea ka dhënë me huazim 38 futbollistë të ekipeve zinxhirë të cilët kanë në dispozicion edhe një psikolog që i ndihmon për të administruar situatën ku ndodhen.

“Daily Mail” thekson se plani i Abramovich do të nisë me kthimin në skuadër të Tammy Abraham, i cili është dhënë te Bristol City në Championship dhe që këtë sezon po shfaqet në një formë të shkëlqyer. Sipas këtij tabloidi, Chelsea po mendon që në fund të këtij sezoni ta kthejë atë në Londër për ta bashkuar me skuadrën e parë ku do të rivalizojë me Diego Costa-n dhe Batshuayi.

Pjesë e planit të Abramovic është edhe trajneri Conte te i cili manjati rus ka besimin se ai do të dijë të triumfojë në “Stamford Bridge”. Tjetër pikë e planit të Abramovich për të rikthyer shkëlqimin e Chelsea-t është edhe ana financiare.

Padroni i “Bluve të Londrës” po mendon që të rrisë kapacitetin e “Stamford Bridge”, i cili aktualisht është 41 837 mijë vendesh, shifër kjo shumë e ulët në krahasim me “Old Trafford” që ka një kapacitet prej 75 765 vendesh.

Top Channel