Basha: Nuk ka patur kohë më të vështirë për policinë se në këto 3 vite

12/10/2016 11:45

Lulzim Basha ka reaguar pas fjalës që mbajti kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në konferencën “Policia e gjeneratës së re”.

Me anë të një postimi në Facebook, kreu i Partisë Demokratike tha se vitet e qeverisjes së Ramës kanë qenë më të vështirat për efektivët e policisë.

“Nuk ka pasur kohë më të vështirë për policinë se këto 3 vite, kur duhej të bënte kujdes të mos i dilte para Emiliano Shullazit, të mos i prishte punë Balilajt, të mos pengonte Habilajt, t’i hapte rrugën vrasësve me pagesë që pret Tahiri në zyrë, të mbyllte sytë kur arratisej Frroku që vrau komisarin Lamaj, të nderonte Rroshin e Bushin, të ishte në shërbim të Ndokës e t’i thonte “po shef” shumë banditëve, trafikantëve, vrasësve, të gjithë miq të Edi Ramës. Kur pranoi sot se ka policë që duhet të ishin në burg, nuk e tha pse nuk janë në burg: sepse i duhen për të ruajtur drogën e miqve të tij. Prandaj i mori nga burgu ata që policet e ndershëm i kishin futur aty dhe jua vuri mbi kokë si “shefa”.
Rama tradhëtoi policinë për pazaret e tij me krimin. Opozita ka 3 vite që lufton me krimin, ndërsa Edi Rama ka 3 vite që drejton vendin me krimin. Policia, rendi dhe siguria do jenë më mirë pa Edi Ramën”, shkruan Basha.

Top Channel