Argjentina zhgënjen përsëri, triumfon Brazili

12/10/2016 00:00

Brazili fiton një tjetër ndeshje eliminatore të Botërorit 2018 dhe merr kryesimin në Grupin e Amerikës Latine. Skuadra 5 herë kampione e Botës, edhe pse pa Neymar, iu imponua Venezuelës në fushën e kësaj të fundit, teksa e fitoi përballjen me të 2-0.

Ishte Gabriel Jesus ai që zhbllokoi sfidën, teska i dha avantazhin Seleçaos në minutën e 8. Në fillimin e pjesës së dytë, Willian shënoi golin e dytë për Brazilin, për të cilin kjo ishte fitorja e katërt radhazi.

Argjentina zhgënjeu sërish. Skuadra nënkampione e Botës u mposht në shtëpinë e saj nga Paraguaji me rezultatin 0-1, duke e çuar në 3 numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore. Fatin e takimit për Paraguajin e vendosi Derlis Gonzales, me golin e shënuar në minutën e 18. Argjentina nuk pati as fatin në favorin e saj, teksa arriti të godasë shtyllën me Di Marian, ndërkohë që Aguero humbi edhe një 11-metërsh.

Nuk pati asnjë fitues në përballjen mes Uruguajit dhe Kolumbisë, e zhvilluar në fushën e kësaj të fundit, pasi përballja mes tyre përfundoi me rezultatin 2-2. Kolumbia mori avantazhin në minutën e 15 me Aguilar, por Uruguaji barazoi shifrat në 1-1 me Rodriguez. Në pjesën e dytë, skuadra e Oskar Tabarezit mori avantazhin me golin e Suarez, por në minutat e fundit të takimit, Kolumbia shënoi golin e barazimit me Arias.

Në ndeshjet e tjera, Kili mundi Perunë 2-1, ndërsa Bolivi-Ekuador përfundoi 2-2.

Renditja në Grupin amerikano-latin të eliminatoreve për “Rusi 2018” sheh Brazilin në krye me 21 pikë, i ndjekur nga Uruguaji me 20. Ndërsa Argjentina është e pesta me 16 pikë, pas Ekuadorit dhe Kolumbisë, që janë në vendin e tretë dhe të katërt.

Top Channel