Obama: Komentet për femrat? Trump s’do të gjente pune as në supermarket

12/10/2016 08:55

Barack Obama e sulmoi keqas Donald Trumpin, duke thënë se komentet e tij denigruese për gratë do ta skualifikonin edhe nga përpjekjet për punë në rrjetin popullor të dyqaneve “7-Eleven”.

Nga tubimi elektoral i organizuar në Greensboro të Karolinës së Veriut, në mbështetje të kandidates demokrate Hillary Clinton, Obama u shpreh se zgjedhja që do të bëhet më 8 nëntor  ka qenë e qartë që përpara daljes së videos, ku miliarderi republikan ofendonte femrat.

“Tani e gjeni veten në situatën kur një person thotë gjëra, të cilat do të ishin të patolerueshme edhe për dikë që aplikon për punë te ‘7-Eleven’. Nuk duhet të jesh bashkëshort apo baba për ta shprehur hapur, sesa e gabuar është një gjë e tillë. Thjesht duhet të jesh një qenie njerëzore me dinjitet”, tha Obama.

Presidenti u bëri thirrje krerëve republikanë ta tërheqin zyrtarisht mbështetjen për Donald Trump, si kandidati presidencial i partisë së tyre. Nuk ka kuptim të denoncohen deklaratat polemizuese të miliarderit, – tha më tej Obama, – e ndërkohë t’i jepet në vazhdimësi mbështetje në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë.

“Njerëzit që thonë ‘Nuk jemi aspak dakord me të. Nuk i pranojmë komentet e tij’, por sërish ia japin përkrahjen e tyre dhe mendojnë se ai duhet të jetë president, unë sinqerisht nuk i kuptoj”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump u hodh në sulm një ditë më parë ndaj figurave të larta të partisë së tij, duke i akuzuar ata për pabesi. Shënjestra kryesore e zemërimit të tij ishte kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, të cilin e cilësoi si një udhëheqës shumë të dobët dhe jo efektiv.

Por, ndërkohë, gafës së 11 shtatorit kur ngatërroi datën e tragjedisë, miliarderi i shton dhe një gabim tjetër të së njëjtës natyre. Ai i ftoi simpatizantët e vet të dalin masivisht në votime më 28 nëntor, në një kohë kur zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 8 nëntor.

Sipas sondazheve të fundit, diferenca e tij me Clintonin është thelluar edhe më shumë, duke mbërritur tani në 8 pikë përqindjeje.

Top Channel