Avokatët e Abdeslamit heqin dorë nga mbrojtja e tij

12/10/2016 08:40

Avokatët e të dyshuarit kryesor për sulmet terroriste të vitit të shkuar në Paris thanë se nuk do ta mbrojnë më atë. Salah Abdeslam do të përdorë të drejtën për të heshtur, diçka që u konfirmua edhe nga avokati i tij Frank Berton.

Ky i fundit sqaroi se që në fillim të kësaj çështjeje, ai dhe kolegu i tij Sven Mary kishin deklaruar se nëse Abdeslami hesht, ata do të hiqnin dorë nga mbrojtja e tij. Sulmet e nëntorit të shkuar në Paris ndaj disa bareve dhe restoranteve, një teatri dhe stadiumit të Francës i kushtuan jetën 130 personave.

Salah Abdeslam, një prej aktorëve kryesorë të sulmeve dhe mbi të gjitha i vetmi i mbijetuar nga agresorët, u arrestua në mars të këtij viti në Bruksel dhe që atëherë nuk ka folur, edhe pas ekstradimit në Francë. Ai monitorohet 24 orë në ditë përmes kamerave në qelinë ku mbahet dhe, sipas avokatit të tij, kjo mbikqyrje e ka shqetësuar shumë. Dyshohet se Abdeslami kishte një rol kyç në planifikimin e sulmeve të nëntorit dhe në transportin e agresorëve, por hetuesit ende nuk kanë përcaktuar rolin e tij specifik.

Mediat franceze shkruajnë se Abdeslamit mund t’i caktohet një avokat mbrojtës nga shteti, por edhe kjo nuk duket një zgjidhje për situatën, pasi asnjë avokat nuk mund të punojë me një të akuzuar që nuk pranon të flasë.

Top Channel