Kritika e Hados: Galeria si panair

12/10/2016 00:00

Ekspozitën e tij personale, Abaz Hado ka zgjedhur ta çelë në Galerinë Kombëtare të Arteve, për të shënuar kështu kulmin e krijimtarisë së tij artistike. Si ish-drejtor i këtij institucioni dhe drejtues i disa institucioneve të kulturës në të kaluarën, Hado ka një mesazh për kolegët e tij.

“Duhet ruajtur si një gjë me vlerë, kur vjen këtu ke një vlerë të veçantë. Nuk më duket e drejtë që të vazhdohet të trysnohet Galeria Kombëtare e Arteve për të hapur shumë ekspozita. Një artist vjen një herë këtu dhe e ruan këtë eksperiencë. Unë do ta ruaj si një pjesë të rëndësishme, pasi këtu vij si kampion dhe me këtë dua të them se kush merr pjesë këtu, nuk duhet të ndeshet me në këtë ring”, deklaroi Hado.

Dyndja e artistëve në këtë institucion të shenjtë, siç e quan Hado, mund të ndalet përmes disa barrierave.

“Kjo frenohet duke vënë disa parametra që janë të domosdoshme. Një artist që nuk ka kaluar disa periudha në krijimtarinë e tij nuk mundet të vijë në Galerinë Kombëtare të Arteve, sepse shoh që ka shumë artistë që kanë tendencën të hapin shumë ekspozita njëra pas tjetrës. Më duket e padrejtë kjo. Kur vjen në Galerinë Kombëtare duhet të sjellësh diçka të re, gjë që tek shumë artistë nuk e shoh”, vijoi ai.

Abaz Hado në ciklin e tij “retrospective” sjell 122 kuadro të punuara në 24 vite, të cilat do të presin publikun deri në datën 24 tetor.

Top Channel