Superiorja, sezoni i ri nisi me shumë trajnerë të shkarkuar

11/10/2016 00:00

Presidentët e Superiores vazhdojnë të jenë të paqartë se çfarë duan nga lojtarët, trajneri dhe skuadra, duke synuar shpeshherë më tepër sesa janë mundësitë.

Sezoni i 2016-s filloi me 80% të skuadrave që kishin ndryshuar trajnerët e një kampionati më parë. Atij vrulli i shpëtoi vetëm Vllaznia e Shkodrës, që rikonfirmoi Cungun, dhe Tirana Ilir Dajën, të tjerët e nisën kampionatin me trajnerë të rinj.

Por kalojnë 4 javë të këtij sezoni dhe durimit i vjen fundi. Largimi i parë ndodh te Teuta në Durrës. Tri humbjet dhe dy barazimet i mbajnë në vendin e fundit “djemtë  e detit”, me 2 pikë.

Cezare Beggi i ardhur nga Seria B në Itali, ku së fundmi ishte zv.trajner i Askolit, nuk dha asnjë shenjë pozitive dhe pas 4 javëve të para largohet, për t’u zëvendësuar nga Gentjan Begeja, i cili zhvilloi vetëm javën e pestë, pasi nesër në të gjashtën e Superiores, në krye të pankinës së durrsakëve do të jetë një tjetër italian, Roberto Cevoli.

Nuk reziston më tepër se java e pestë as Marcelo Troizi i Laçit. Dy humbje dhe tri barazime e kanë çuar skuadrën kurbinase në vendin e parafundit, e për këtë arsye, tashmë skuadra i është besuar Ramadan Ndreut.

Ndërkohë rrokada e Partizanit, nga Sormani te Starova, ka të tjera arsye. Objektivat e “të kuqve” janë ndryshe nga ato të Teutës dhe Laçit. Ata, pas 5 javësh e shohin veten 7 pikë larg kryesuesve të Skënderbeut në vendin e tretë, e kjo për ta është e papranueshme nisur nga synimi që kanë për të fituar titullin kampion.

Rikthimi i Starovës është ai i rikuperimit të disavantazhit, edhe pse dhjetorin e shkuar ishin pikërisht të njëjtit drejtues që larguan Starovën për një lojë jo të bukur dhe e zëvendësuan me Agostinellin, i cili gjithsesi nuk e arriti objektivin në fundin e kampionatit.

E gjithë kjo ndodh vetëm në prag të javës së 6 të Superiores dhe në fakt nuk të habit aspak, kur kujton se vetëm në sezonin e shkuar, në një kampionat me 10 skuadra kanë lëvizur 27 trajnerë. Një shifër absolutisht rekord dhe të mendosh që në fund presidentët llogaritë i bëjnë mes njëri-tjetrit, duke e mbajtur fatkeqësisht trajnerin në krye të pankinës, në të shumtën e rasteve thjesht për protokoll.

Top Channel