Dita e Ashures, ja si përkujtohet beteja e Qerbelasë

11/10/2016 00:00

Mbi dy milionë besimtarë shiitë nga bota myslimane janë mbledhur në qytetin e Qerbelasë në Iraq, ku nën masa të larta sigurie po marrin pjesë në ritualet e Ashures, në përkujtim të rënies së nipit të Profetit Muhamed në një betejë 1.300 vite më parë.

Besimtarët godasin veten me kamxhik për të përjetuar dhimbjet e tij. Kjo ngjarje, që ka çuar edhe në ndarjen e madhe të besimit mysliman në dy sekte, shënon një ditë ku rreziku për sulme ndaj shiitëve nga ekstremistët sunitë është më i madh.

Një i tillë ndodhi në Afganistan, ku besimtarët ishin mbledhur për të shënuar dy ditët e zisë për nipin e Profetit Muhamed. 14 persona vdiqën dhe të paktën 26 u plagosën, si pasojë e një shpërthimi në një vend të shenjtë shiit në Kabul.

Ndërsa në Teheran, tifozëve u është kërkuar të hedhin parrulla fetare në vend të thirrjeve sportive, në mbështetje të kombëtares së Iranit, e cila ka mundur 1-0 përfaqësuesen e Koresë së Jugut.

Gjatë dy ditëve përkujtimore për betejën e Qerbelasë dhe të rënët e saj, në të gjithë Iranin, radio dhe televizionet luajnë muzikë funebër, ndërsa kinematë dhe teatrot qëndrojnë mbyllur.

Top Channel