Platforma “Spahiu”: LSI-ja të ketë kryeministrin. Referendum për koalicionin

11/10/2016 00:00

Deputeti Përparim Spahiu zgjodhi një takim me anëtarësinë në Pukë, për të thënë me zë të lartë atë që përflitet prej kohësh në LSI: marrja e postit të kryeministrit.

Kjo është shtylla e parë kryesore e platformës së Spahiut përballë Ilir Metës, të cilit i vuri në dukje dy cilësi pozitive, por që sipas Spahiut po e pengojnë LSI-në të marrë atë çfarë meriton.

“Do marrim përgjegjësi më të mëdha vetë ne si LSI, apo do të vazhdojmë të prodhojmë kryeministra që s’e kanë teserën tonë, nuk janë të LSI-së dhe, jo vetëm nuk janë mirënjohës, por dhe na faturojnë dështimet e tyre, sikur janë dështimi ynë. Unë mendoj që kjo është një çështje që ia vlen të ngrej zërin dhe, për një çështje si kjo, ia vlen të kandidosh kundër linjës kaq të butë e kaq besnike të Ilir Metës”, është shprehur Përparim Spahiu, deputet i LSI-së.

Pika e dytë e platformës së Përparim Spahiut prek drejtpërdrejt vendimmarrjen e LSI-së, nëse do t’i bashkohet apo jo ndonjë koalicioni në zgjedhjet e ardhshme.

“Unë mendoj se, edhe për vendimin e madh sesi do të garojmë për zgjedhjet e vitit 2017, duhet të mbahet një referendum apo pyetësor, ku e gjithë anëtarësia e saj të shprehet për vendimmarrjen. Nëse do të vendoset kjo, propozimi im do të jetë që në çdo koalicion të ardhshëm nga viti 2017, LSI të ketë kandidatin e saj për kryeministër dhe këtë ta vendos si kusht të koalicionit të saj. LSI-ja e para!”, ka thënë më tej kandidati për kreun e LSI-së.

Propozimi i Spahiut vjen në një kohë kur Rama dhe Meta kanë nisur një proces diskutimi për koalicionin e ardhshëm, por që, mesa duket, nuk do të ketë një përfundim deri më 6 nëntor, kur të mbahen zgjedhjet për kryetarin e LSI-së.

Top Channel