Peticion kundër ish-presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso

11/10/2016 00:00

Më shumë se 150 mijë persona kanë nënshkruar një peticion të lançuar nga stafi i BE-së, i cili kërkon që ish-presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso të humbasë pensionin e tij për shkak se është punësuar te “Goldman Sachs”.

Një delegacion do ta prezantojë peticionin të mërkurën në të gjithë institucionet kryesore të Bashkimit Europian: komisioni, parlamenti dhe këshilli, me këtë të fundit që përfaqëson qeveritë europiane.

Afro 152 mijë njerëz kanë shkruar emrat e tyre poshtë deklaratës, e cila akuzon Barroson për sjellje “moralisht të dënueshme” për shkak të vendimit të tij për t’u bashkuar me bankën amerikane të investimeve.

Që prej lançimit të tij nga një grusht të punësuarish në BE, në muajin korrik, peticioni është përhapur përtej stafit të Brukselit, duke u bërë “rrufepritëse” e shqetësimeve mbi politikanët e lartë që punësohen në punë fitimprurëse në sektorin privat.

Peticioni vjen përpara një hetimi të pritur me zell nga Komiteti i Etikës së BE-së për punësimin e Barrosos. Një panel prej 3 personash, përfshi një ish-gjykatës, një ish-europarlamentar dhe një ish-zyrtar të BE-së, do të udhëzojnë KE-në nëse Barroso ka shkelur Kodin e Sjelljes. Në këtë të fundit thuhet se, ish-komisionerët duhet të veprojnë me “integritet dhe pjekuri” gjatë dhe pasi lënë postet.

Barroso, i cili udhëhoqi Komisionin Europian për një dekadë, deri në vitin 2014, pranoi të punësohej nga “Goldman Sachs” në korrik, me rolin për të këshilluar klientët e bankës si të sillen përpara një “Brexit”-i.

Top Channel