Afganistan, përgjaket kryeqyteti në prag të Ditës së Ashures

11/10/2016 00:00

Kryeqyteti Kabul i Afganistanit është përgjakur në prag të Ditës së Ashures, të kremtuar nga myslimanët shiitë duke mbajtur zi e duke rrahur veten me kamxhik, teksa një sulm ndaj një vendi të shenjtë ka lënë të paktën 14 persona të vdekur.

Turma e njerëzve ishin mbledhur në Karte Sakhi, vend i shenjtë më i madh në kryeqytetin afgan, për të kremtuar Ditën e Ashures, në përkujtim të martirizimit të Husseinit, nipit të Profetit Muhamed.

Dëshmitarë nga vendngjarja thanë se ishte dëgjuar një shpërthim i fuqishëm si dhe të shtëna armësh. Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, pasi njoftoi se incidenti kishte marrë fund, bëri të ditur edhe numrin e viktimave: 14 të vdekur dhe 26 të plagosur. Njëri prej tyre ishte një oficer policie, shtoi më tej ai.

Vdekja e Husseinit në betejën e Qerbelasë, që përkujtohet në këtë ditë të shënuar për bektashinjtë, ka qenë një organizim që çoi në ndarjen e Islamit në dy sekte kryesore: atë sunit dhe atë shiit.

Qeveria afgane ka paralajmëruar më herët për sulme të mundshme gjatë ditës së nesërme, por një i tillë ndodhi në një moment të paparashikuar.

Nga sulmi i fundit i kryer në Afganistan, i marrë përsipër nga Shteti Islamik, mbetën të vdekur 80 persona, por ndaj shiitëve kishte kohë që nuk ndodhnin të tilla ngjarje vdekjeprurëse, ndryshe nga ç’ndodh në Pakistanin fqinj. Myslimanët shiitë përbëjnë rreth 15 për qind të popullsisë afgane, shumica e të cilëve janë pjesë e grupit etnik Hazara.

Top Channel