Francë, përurohet “dhoma e drogës”. Injektim nën mbikëqyrje mjekësore

11/10/2016 00:00

“Galeria e qitjes” apo “dhoma e drogës” janë emrat e përdorur për të përshkruar projektin më të fundit, mjaft kontradiktor, të autoriteteve franceze, sipas të cilit është hapur një ambient i sigurtë, ku të prekurit nga droga mund të drogohen nën mbikqyrje mjekësore.

Dhoma e drogës u përurua nga kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, dhe ministrja e Shëndetësisë Marisol Touraine, në afërsi të Gare du Nord, një zonë ku krimet e lidhura me drogën janë të zakonshme.

Dhoma e drogës është krijuar brenda një spitali, me një hyrje të ndarë nga shërbimet e tjera, ku të droguarit mund të shkojnë për të ndërruar drogat e forta si heroina me zëvendësues farmaceutikë, si dhe të marrin shiringa sterile.

Aty, atyre iu garantohet një farë privatësie për t’u droguar dhe janë nën vëzhgim mjekësor. Një prej argumenteve kryesore për hapjen e këtij pavioni është se, të droguarit janë në kontakt me mjekë dhe punonjës socialë, që mund t’i ndihmojnë.

Sipas ekspertëve, marrja e drogës në ambient të pastër ul rrezikun e konsumit të drogave të blera në rrugë nga trafikanët. Të droguarit nuk do të përndiqen nga policia nëse shkojnë në atje.

E ndërsa autoritetet kanë ndërmend të hapin dhe dy qendra të tilla, në Strasburg dhe Bordo, kundërshtarët e planit thonë se kjo ndihmon trafikun e drogës, pasi shteti po ndihmon njerëzit të drogohen, megjithëse kjo është e kundërligjshme.

Franca bëhet vendi i 10 në botë që hap dhoma droge, diçka që e nisi e para Zvicra në vitin 1986.

Top Channel