Olimpiada 2024, Roma tërheq kandidaturën për organizim

11/10/2016 00:00

Italia ka pezulluar aplikimin e Romës për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2024, e detyruar për shkak të kundërshtimit të vendosur të kryebashkiakes Virginia Raggi.

Presidenti i Komitetit italian Olimpik, Giovanni Malago bëri të ditur se i kishte shkruar Komitetit Ndërkombëtar Olimpik ku i bënte të ditur vendimin për “tërheqjen e kandidaturës”. Edhe pse në letër mbetet një mundësi tepër e vogël për një rijetësim të kandidaturës, nëse do të ketë një ndryshim të qeverisë lokale në Romë, Malago duket se nuk ka shumë shpresa që kjo të ndodhë.

“Sot mund të themi përfundimisht se loja ka mbaruar. Por nëse dikush vendos që ta rifillojë lojën, atëherë kjo nuk është në dorën tonë. Sot për sot, duke parë rrethanat, ne themi se nuk mund të kandidojmë”, tha Malago për “Associated Press” pas njoftimit të vendimit në një konferencë për shtyp.

Lëvizja e fundit vjen pasi Këshilli Bashkiak i Romës votoi muajin e kaluar për të tërhequr mbështetjen ndaj kandidaturës, me rekomandim të Raggit.

“Komiteti për këtë kandidaturë është shpërbërë zyrtarisht sot, – theksoi Malago. – Kjo është një plagë e rëndë për ne. Shpresoj vetëm që ata që ndikuan në këtë vendim ta kuptojnë se çfarë përshtypje negative kemi bërë para botës”.

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) bëri të ditur se ishte njoftuar mbi vendimin e italianëve dhe se “do të shqyrtojë më tej me Komitetin e Kandidaturave se çfarë pasojash sjell kjo tërheqje”.

“I gjithë informacioni që kemi marrë përgjatë ditëve të fundit, duke parë rrethanat, mund të themi se duket qartësisht se kjo ka të bëjë vetëm me politikën në Itali”, shkruan “IOC”.

Tërheqja e Romës lë tashmë vetëm Los Angelesin, Parisin dhe Budapestin në garën për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2024. Vendimin për organizatorin, “IOC” do ta marrë në shtatorin e vitit të ardhshëm.

Kjo është hera e dytë në 4 dite, që kandidimi i Romës ose tërhiqet, ose pezullohet. Edhe në vitin 2012, ish-kryeministri Mario Monti tërhoqi kandidaturën e Romës për Olimpiadën e 2020-s për shkak të problemeve financiare.

E duke shpresuar në rifitimin e besimit nga “IOC”, Malago ka thënë se do të ofrojë qytetin e Milanos si organizator të sesionit të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik në vitin 2019. “Ky është hapi i parë i rehabilitimit të Italisë pas kësaj ndërprerjeje të papranueshme”, tha Malago. “Mbrëmjen e kaluar pata mundësinë të bisedoja këtë gjë me presidentin e IOC-së, Thomas Bach, si dhe drejtorin e përgjithshëm Christophe De Kepper, të cilët shfaqën mbështetje për këtë ide. Kjo është një mënyrë për të kthyer faqe dhe për të ecur përpara”, shtoi Malago.

Raggi, e cila përfaqëson “Lëvizjen 5 Yjet”, tha se duke marrë parasysh kostot e zhvillimit të një Olimpiade, kandidatura është e “papërgjegjshme” për një qytet që po vuan të tejkalojë një situatë të rëndë korrupsioni dhe shërbimi publik që lë për të dëshiruar.

Top Channel