Boeri dhe pallatet e vjetra

11/10/2016 00:00

Pallatet e vjetra të ndërtuara në periudhën e komunizmit do të rikonstruktohen me dakortësinë e banorëve, duke favorizuar subjektin që e merr përsipër të ndërtojë një kat shtesë në to.

Kjo është e parashikuar në planin e ri rregullues për të përmirësuar cilësinë e banimit në këto pallate, të cilat kanë probleme me lagështinë dhe janë tejet të amortizuara.

Ditjon Baboçi, drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, shprehet: “Zhvilluesi që merr përsipër që të ndërtojë një kat shtesë, ka detyrimin të termoizolojë ndërtesën, të rregullojë ambientet e përbashkëta, ndoshta të instalojë një citofoni te dera dhe si këmbim për këtë shërbim, me dakortësinë e banorëve, të marrë leje për një kat shtesë”.

Në planin e ri parashikohen lehtësira për lejet e ndërtimit që do të jepen përkundrejt cilësisë së materialeve të ndërtimit: “Nëse zhvilluesi tregon interes për të rritur cilësinë e materialeve të ndërtimit, për të rritur eficencën e termoizolimit etj., do të ketë mundësi të marrë një përqindje që justifikon investimin e tij”.
 
Boeri, hartuesi i planit “Tirana 2030” ofron zgjidhje edhe për shtëpitë historike, të cilat kanë pronarë dhe në të shumtën e rasteve nuk investojnë në to derisa të shemben, me qëllim që në vend të tyre të mund të ndërtojnë pallate.

“Do t’i ofrohet volumi i ndërtimit që i takon sipas planit në atë objekt, në një objekt pranë tij”, shpjegon Baboçi.

Bashkia e Tiranës do të bëjë vetëm ndërmjetësuesin, pasi në të dy rastet do të dakortësohet me banorët.

Top Channel