Përplasja për magjistraturën. Sadushi: KLD-ja nuk ktheu përgjigje

11/10/2016 19:55

Kur konkursi për kandidatët që do të përzgjidhen si  magjistratë ka hyrë në fazën e dytë, Partia Demokratike e konsideron këtë procedurë si jotransaparente dhe të kryer përpara se të hyjë në fuqi ligji.

Dje, Enkelejd Alibeaj deklaronte: “Çdo veprim, qoftë edhe okult, i mbledhjes së aplikimeve, i përpilimit të listave dhe përzgjedhjes së aplikantëve, është bërë para datës 10 tetor”.

Por, kreu i Magjistraturës akuzon KLD-në si shkaktare të zvarritjes së provimit së fundmi të kritikuar nga opozita, për shkak se nuk ka kthyer përgjigje për numrin e kandidatëve që do të bëhen gjyqtarë.

Sokol Sadushi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës, thotë: “Për sa kohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk kishte paraqitur asnjë vend vakant, por ne kishim vetëm 5 vende vakante për prokurorë, vendosëm shtyrjen e provimit për t’i dhënë mundësi kandidatëve për të paraqitur dokumentacionin, me qëllim që t’i përshtateshin edhe situatave të reja ligjore që sillte ligji për “Vetting”-un. Dhe ne nuk mundeshim që të zhvillonim një provim në datën 5 shtator për 5 kandidatë dhe ndërkohë të fillonim një proces tjetër që do të përfundonte në nëntor”.

10 tetori është data kur hyri në fuqi ligji i “Vetting”-ut, që përcakton se numri i fituesve duhet të jetë 25 për dy vite rresht. Sadushi thotë se Shkolla e Magjistraturës thjesht po respekton ligjin: “Ne jemi të detyruar të zbatojmë procedurat. Numrin e fituesve do ta vendosim në fund”.

Top Channel