Kosovë, Lumezi pranon kërkesat e Thaçit

11/10/2016 00:00

Mesditën e së hënës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi njoftoi dërgimin e 4 letrave për llogari të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes të cilave ai kërkonte hetimin e disa prej rasteve të ndodhura ndër vite e që ende nuk janë zbardhur nga organet e drejtësisë, përfshi krime lufte dhe atentatin ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Këtë të martë, prokurori i Shtetit Aleksander Lumezi ka pranuar shkresat e presidentit dhe, përmes një komunikate për mediat, ai bën të ditur se hapat që janë ndërmarrë, siç është themelimi i Departamentit për Krime Lufte.

“Prokurori i Shtetit konfirmon edhe njëherë përkushtimin e tij kushtetues dhe ligjor në ndjekjen, hetimin dhe dërgimin para gjykatave të të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale. Në këtë drejtim kemi bërë hapa konkretë në luftimin e shumë dukurive negative, kurse më 13 maj të vitit 2015, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Departamentit për Krime Lufte, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e kryeprokurorit Lumezi.

Duke ofruar edhe shifra nga sasia e madhe e punëve me të cilat merren prokurorët, konkretisht 167 raste me 456 persona të dyshuar, njoftohet gjithashtu se 69 prej tyre janë transferuar nga prokurorët e EULEX-it, me 218 persona të dyshuar.

“Krimet e luftës të ndodhura në Mejë, Dubravë, Qyshk, Lubeniç, Grashticë dhe Krushë e Madhe, janë lëndë me të cilat po punojnë intensivisht prokurorët me synimin përfundimin e tyre. Gjatë hetimeve të zhvilluara janë lëshuar deri më tani 6 fletëthirrje për 15 persona të dyshuar, ndërsa janë trajtuar e po trajtohen edhe 24 raste të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës. Për këto të fundit janë lëshuar gjithsej 72 fletëthirrje për të pandehurit, e në momentin e parë që do të jetë e mundshme ata do të arrestohen dhe do të dërgohen para drejtësisë”, shkruhet më tej në komunikatë.

Prokurori i Shtetit konsideron se letrat e Presidentit të Republikës së Kosovës janë në përputhje me objektivat e prokurorit të Shtetit dhe se kërkesa të tilla do të trajtohen e adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal. Për më tepër, prokurori i Shtetit ka detyrim kushtetues dhe ligjor të mbrojë interesin publik para gjykatave të vendit, ndërsa shtohet se “mirëpresim vullnetin politik në rritje për të fuqizuar luftën kundër krimit”.

“Sidoqoftë, tërheqim vërejtjen se një pjesë e krimeve që supozohet se janë kryer, tashmë janë gjykuar nga gjykata kompetente dhe parimi ‘NE BIS IN IDEM’, parim ky i vendosur në dispozitën e nenit 4 të KPP-së, që pamundëson hapjen e sërishme të hetimeve, pasi ato tashmë kanë marrë një epilog nga ana e një gjykate”, theksohet në komunikatë.

Top Channel