Nga Laçi, Basha: Qeveria të lërë investimet e luksit, të ndihmojë të përmbyturit

11/10/2016 18:55

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi vizitoi disa nga familjet e përmbytura në Laç, i bëri thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe t’u vijë në ndihmë banorëve.

“Asnjëri nuk funksionon se nuk e kanë mendjen te njerëzit, e kanë mendjen te xhepat e tyre. Investime nuk ka pasur. Investimet shkojnë për fasada, në vend që të shkojnë për të ndihmuar njerëzit, se kjo është hera e tretë brenda dy viteve që kemi këtë situatë në Laç. E kemi në Fushë Krujë, e kemi kudo tjetër. Lekët e investimeve shkojnë për të bërë zbukurime e fasada, në vend që të vijnë të ndihmohen njerëzit. Juve ju kanë lënë në mëshirë të fatit, ju kanë braktisur dhe vijnë vetëm për t’iu kërkuar votën. Kur vjen puna për t’iu gjendur pranë në ditë të hallit qeveria zhduket. Kjo është situatë e papranueshme për ne”, tha Basha.

Gjatë takimeve me banorët, Basha ka kërkuar që qeveria të dëmshpërblejë menjëherë të prekurit nga reshjet.

“E para, prioritet duhet të jetë ruajtja e jetëve të njerëzve. E dyta, të evidentohen dëmet materiale dhe të vijnë t’u gjenden pranë me ndihma, pasi iu ka shkuar dëm edhe ushqimi i bagëtive për dimrin. Dhe e treta, t’i mbajmë përgjegjës për këtë situatë, sepse lekët jepen për investime fasade, ndërsa njerëzit mbyten. 150 familje në Laç dhe dhjetëra familje në Fushë Krujë janë përmbytur. Reshjet do të vazhdojnë, si do t’ia dalin?”, ka thënë Basha.

Top Channel