“Pajtohen” Rama me Doshin. Të dy presin kardinalin e ri në Rinas

11/10/2016 00:00

Feja, të paktën në Shqipëri, ka qenë dhe vijon të mbetet sinonim i bashkimit dhe uljes së tensioneve. Këtë magji nuk e humb as kur flitet për politikën.

Dhe e shfaqi të martën në Rinas, ku në pritje të mbërritjes së kardinalit të saposhpallur Dom Ernest Simonit, kryeministri Edi Rama shtrëngoi publikisht duart me Tom Doshin, pas gati më shumë se dy vitesh.

Por, ishte thjeshtësia e përulësia e Dom Ernest Simonit që dha një mesazh për shqiptarët, që ndoshta duhet të dëgjohet me vëmendje dhe nga politika: “O Zot, shëndet e mend të gjithëve. Të bashkohen për një qëllim të shenjtë, për të mirën e të gjithë vëllezërve, për rimëkëmbjen e popullit shqiptar, të gjithë të bindur se Zoti është babai i tyre dhe se Zoti jep shpërblimin e pamatur. Thotë shkrimi i shenjtë se, veprat e mira e ndjekin shpirtin ngado që shkon”.

Ai e tregon modestinë e tij edhe kur pyetet nëse do ta ketë problem nëse do vijojnë ta thërrasin Dom Ernesti e jo Kardinal: “Unë jam misionar i thjeshtë, vazhdoj të jem Dom Ernesti”.

Dhjetëra besimtarë dhe drejtuesit më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri e shoqëruan atë drejt Shkodrës, ku ai do të qëndrojë deri në datë 19 nëntor, datë në të cilën do duhet të udhëtojë drejt Vatikanit, ku do të marrë zyrtarisht titullin Kardinal.

Top Channel