Greqia ka refuzuar kërkesat e azilit për 7 nga 8 ushtarakët turq, të cilët u arratisën nga vendi i tyre pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan në korrik.

Ushtarakët turq u larguan përmes një helikopteri dhe zbritën në qytetin verior grek, kufitar me Turqinë, atë të Alexandroupolis më 16 korrik, vetëm pak orë pasi grushti i shtetit i nisur nga një pjesë e vogël dhe e papërfillshme e ushtrisë turke po jepte shenjat e parë të dështimit.

Turqia i akuzon ata si të përfshirë në atë përpjekje kundër rendit kushtetues në vend, një akuzë që ushtarakët vet e mohojnë. Katër prej tyre u informuan këtë të martë se kërkesat e tyre për azil ishin refuzuar nga një bord shqyrtimi i shkallës së parë, duke iu bashkuar kështu edhe 3 të tjerëve që iu ishte refuzuar diçka e tillë më herët. Njëri prej tyre ka apeluar vendimin, ndërkohë që bordi i kërkesave të azilantëve ende nuk ka marrë një vendim për ushtarakun e tetë.

Në një deklaratë të publikuar nga gjykatësja e tyre, Stavroula Tomara, ushtarët thonë se vendimi është udhëhequr nga përfitime politike. Ajo shprehet gjithashtu se ata janë të frikësuar për jetët e tyre nëse rikthehen në Turqi.

“Kemi ardhur në Greqi për të shpëtuar jetët tona, jo për të qenë pengje të politikave të jashtme dhe marrëveshjeve dypalëshe. Ne nuk konsiderohemi terroristë as në vendin tonë madje”, thuhet në deklaratën e tyre.

Autoritetet greke kanë deklaruar më herët se ushtarët nuk kanë mundur t’u vënë në dispozicion atyre prova të mjaftueshme që do ta përjashtonte mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në puçin e korrikut.

Turqia ka kërkuar edhe formalisht ekstradimin e të 8 ushtarakëve, duke i përshkruar ata si “tradhtarë”, ndërkohë që Greqia ishte duke shqyrtuar aplikimet e tyre për azil politik. Ky vendim duket se nënvizon rastësisht edhe marrëdhëniet e tendosura mes Athinës dhe Ankarasë, të dy aleatë të NATO-s, për çështje që variojnë nga Qiproja, deri te të drejtat mbi hapësirën ajrore mbi Egje.

Tetë ushtarakët, 3 majorë, 3 kapitenë dhe dy kapterë, janë mbatur deri më tani në paraburgim deri në pritje të rezultatit të aplikimeve të tyre për azil.

Top Channel