Lesbos, refugjatë e banorë, të lodhur nga situata e rënduar

11/10/2016 00:00

Prej muajsh, varkat me emigrantë që zbarkojnë në Lesbos janë të rralla, falë marrëveshjes së Bashkimit Europian me Turqinë. Por, ashtu si pirgjet me jelekë shpëtimi e komardare që kanë mbetur për disa kilometra përgjatë brigjeve, edhe emigrantët vazhdojnë të jenë ende problem i ishullit grek në Egjeun verilindor.

Dy kampet e ishullit janë të tejmbushur me refugjatë. Në kampin e Morias, emigrantët presin me muaj shqyrtimin e kërkesës për azil. “Amnesty International” thotë se atje mungon ushqimi dhe qumështi i foshnjave mezi gjendet.

Kamal Hussain, një 30-vjeçar nga Somalia, thotë se ndihet si në burg. Të gjithë janë të lodhur në pritje të azilit. Shpesh policia ndërhyn për të vendosur rendin mes emigrantëve, ndërsa kushtet e jetesës janë të këqija.

“Jetojmë në këtë dhomë prej 7 muajsh. Kjo është tavolina, dhoma e ndenjes, ndërsa brenda as që mund të flemë, as të hamë, sepse është shumë nxehtë”, tha Fathea Khaleta, emigrante nga Damasku.

Njerëzit duan përgjigje, kanë muaj që jetojnë në ankth dhe në kushte mbipopullimi, shprehet zëdhënësi i UNHCR-së.

Edhe banorët, kandidatë për Nobelin e Paqes, kanë filluar të lodhen me shpërthimet e dhunës e protestat nëpër kampe.

“Ata nuk do ta përballojnë dot dimrin. Do u vënë flakën pemëve për t’u ngrohur. Situata do të dalë jashtë kontrollit”, tha Fotis Papaefstratiou, banor i Lesbosit.

Përballë kësaj situate dhe kritikave për zvarritje, Athina zyrtare thotë se nuk mund të bëjë asgjë për ta përshpejtuar, pasi kërkesat janë shumë më të mëdha se kapacitetet e saj për t’i përballuar.

Top Channel