Kosovë, Mustafa: Arrestimi i Nehat Thaçit, politik. Kemi kërkuar kthimin e tij

11/10/2016 00:00

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme parlamentare, kryeministri kosovar Isa Mustafa e ka cilësuar arrestimin e kryepolicit të Mitrovicës si politik dhe ka shtuar se kjo nuk ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ai është shprehur se “po ballafaqohemi me një situatë të pakëndshme dhe mjaft problematike me arrestimin dhe burgosjen e kosovarëve nga ana e pushtetit serb”, duke sjellë në vëmendje arrestimin e Nehat Thaçit.

“Sipas informacioneve që kam unë si kryeministër, Nehat Thaçi nuk ka qenë duke udhëtuar në mënyrë zyrtare. Ai ka qenë duke udhëtuar privatisht në Serbi. Gjithsesi janë të papranueshme sjelljet e Serbisë ndaj qytetarëve tanë dhe ngritjes së akuzave për vepra që ata nuk i kanë bërë”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës ka theksuar se kanë kërkuar që Thaçi të kthehet në Kosovë përmes institucioneve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare. Mustafa ka këmbëngulur gjithashtu se nuk ka asnjë arsye që Serbia të ndërhyjë në punët e Kosovës.

“Kemi kërkuar edhe nga Brukseli që të ushtrojë presion, që z. Thaçi të kthehet në Kosovë. Arrestimi i tij nuk është në interes të Kosovës, ai është në interes vetëm të disa individëve në Serbi”, tha Mustafa. Ai shtoi se do të vazhdojnë me procesin e dialogut, sepse ka ende çështje të pazgjidhura me Serbinë.

Top Channel