Libohovë, sëmundja vret rrapët

11/10/2016 00:00

Dhjetëra ekzemplarë rrapësh shekullorë që përfaqësojnë edhe pemën simbol të qytetit të Libohovës po shkojnë drejt tharjes dhe kalbëzimit.

Shkak është bërë “kanceri i rrapit”, e njejta sëmundje që eleminoi përgjatë 7 viteve të fundit më shumë se 2.000 pemë shekullore në të gjithë luginën e Drinos dhe shpatet kodrinore.

“Nga kjo sëmundje po preken edhe rrapë të tjerë. Janë marrë masa duke i prerë për të shpëtuar të tjerët. Por nëse pret një pemë duhet të mbjellësh dy ose tre të tjera. Ky është parimi ynë si bashki. Gjithashtu, ne do të mbjellim edhe pemë të tjera zbukuruese”, ka deklaruar Besnik Ismailati, nënkryetar i Bashkisë së Libohovës.

Tharja e rrapëve është duke dëmtuar jo vetëm kurorën e gjelbërt të zonës por bashkë me të edhe elementë të historisë dhe traditës së Libohovës.

Pemët e thara rrezikojnë shembjen mbi rrugë dhe mbi sarajet e Myfit Bej Libohovës. Përpjekjet reale për lokalizimin e sëmundjes apo dizinfektimin e tyre kanë qenë minimale, ndërsa bashkia flet për rimbjelljen e masiveve të dëmtuara.

E njëjta epidemi shkaktoi tharjen e rrapëve historikë të zonës së jugut si, Gurra e Picarit, Rrapi i Mashkullorës, i Zhulatit dhe rrapët e Tepelenës.

Top Channel