Rama fton biznesin gjerman: Kemi taksa të ulëta dhe kosto të lirë pune

11/10/2016 00:00

Me kompanitë gjermane në Forumin Ekonomik në Hamburg, kryeministri Rama përdori dy argumente të thjeshta për t’i ftuar ato të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.

“Kemi një kosto të punës kaq të ulët dhe 15% tatim fitimi për biznesin, çfarëdo qoftë ai, gjë që në Gjermani nuk është e mundur as të mendohet e jo më të aplikohet në realitet, dhe pastaj shumë avantazhe të tjera që në fund, duke bërë një bilanc, mund t’ju them se në përgjithësi të investosh në Shqipëri është një ide shumë e mirë”, deklaroi Rama.

Gjermania është donatori më i madh i Shqipërisë në këto 25 vjet, por kryeministri Rama beson se Shqipëria ka ende një potencial që mund të eksplorohet nga kompanitë private në fushën e energjisë, të ujërave, në bujqësi dhe turizëm.

“Kemi aprovuar një paketë të re legjislative për të mbështetur investitorët në fushën e turizmit, duke iu ofruar tokën për 1 euro në vit, jo për metër, për vit dhe në bazë të shkallës së investimit, kontrata ka një kohëzgjatje që shkon nga 33 në 99 vjet”, nënvizoi Rama.

Kryeministri renditi si një avantazh të ri zgjerimin e tregut për shkak të procesit të Berlinit. Kjo nismë e kancelares Merkel është një mundësi jo vetëm për nxitjen e dialogut politik mes vendeve, por edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Top Channel