Kurbin, përmbytja vret një person; dhjetëra familje të dëmtuara nga ujërat

11/10/2016 00:00

Pak orë para mesnate, 48-vjeçari Kolë Menga, baba i një fëmije, doli për të kontrolluar dyqanin e tij në qendër të Laçit, por nuk u kthye më i gjallë në familje.

Uji në rrugen ku po kalonte kishte arritur thuajse 1 meter dhe rryma e fortë e rrëmbeu 48-vjeçarin, i cili pavarësisht se tentoi të kapej pas një peme nuk ia doli dot të mbijetonte.

Reshjet e shiut kanë rritur prurjet e përroit, duke shkaktuar daljen e ujërave nga shtrati. Në gjendje më kritike ishin banorët në lagjen 4 të qytetit, tek konviktet dhe përgjatë unazës.

Për të ndihmuar në evakuimin e familjeve ishin Emergjencat Civile, forcat e zjarrfikësve, ato policore, ushtrake dhe të njësive vendore.

Nga Ministria e Brendshme raportohet se janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa në lagjen “Demokracia” dhe disa në lagjen Sanxhak.

Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qënë më e vështirë sepse dalja e ujërave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave. Në afërsi të autostradës, me ndihmën e forcave të policisë janë evakuuar 6 familjet më të rrezikuara.

Ndërsa në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve. Dëme të mëdha ka edhe në tokat bujqësore.

Top Channel