“Shukriu” shkon në gjykatë, mbyllen hetimet për ish-kryebashkiakun e Dibrës

11/10/2016 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, i cili do të gjykohet për korrupsion pasiv.

Për shkak të detyrës, thotë Prokuroria, ish-kryebashkiaku ka kërkuar të përfitojë  favore seksuale nga një shtetase, në këmbim të një vendi pune në këtë bashki.

Ndonëse i pandeheuri nuk e ka pranuar akuzën me pretendimin se nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e tij, prokurorët thonë se administrojnë në dosje prova që flasin për të kundërtën.

Me këtë argumentim janë radhitur dëshmia e vajzës, të cilës i janë kërkuar favore seksuale dhe procesverbalet e  këqyrjes dhe marrjes së provave në të cilat shfaqet i filmuar Shukri Xhelili, skandal ky i denoncuar në një emision investigativ.

Sipas provave, thotë Prokuroria, Shukri Xhelili në cilësinë e kryetarit të Bashkisë ka lënë takim me vajzën me qëllim kryerjen e marrëdhënieve intime, kundrejt një vendi pune.

Provat tregojnë më tej, shprehet prokurori i dosjes, se në datën 13 prill, Xhelili është takuar me shtetasen A.A. dhe më pas janë drejtuar për në hotel. Çdo veprim i tij është regjistruar nga vajza, por prokuroria vëren se megjithë hetimet e kryera, nuk është gjetur telefoni konkret për shkak se vajza ka deklaruar se nuk e ka më këtë aparat.

Top Channel