Gati 222 mln euro për Neymar, PSG nuk dorëzohet

11/10/2016 00:00

Paris Saint Germain nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Neymar. Skuadra kampione e Francës po mendon të bëjë një tjetër tentativë për blerjen e brazilianit në verën e vitit 2017 dhe është gati të shpenzojë shifra marramendëse për t’ia arritur qëllimit.

Mësohet se klubi parizien është gati të shpenzojë për Neymar plot 222 milionë Euro. Paris Saint Germain e tentoi blerjen e brazilianit edhe në verën e këtij viti teksa shprehu gatishmërinë për të paguar 190 milionë euro, ndërkohë që lojtarit i ofroi kontratë me pagë 40 milionë euro në sezon, por Neymar e refuzoi këtë ofertë. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e klubit transalpin nuk u dorëzuan dhe tashmë kanë vendosur që të rrisin ofertën e tyre edhe me 30 milionë euro të tjerë me shpresën që Barcelona të tundohet nga ideja për të rritur përfitimet financiare dhe të pranojë shitjen e Neymar.

Kjo ofertë e re e Paris Saint German vjen në  një moment kur pritet nënshkrimi i kontratës së re mes Neymar dhe Barcelonës që do të ketë një afat skadencë në 2021 me futbollistin që do të përfitojë 25 milionë euro në sezon. Paris Saint Germain do të kërkojë të tundojë futbollistin duke rritur propozimin për të në 42 milionë euro në sezon.

Top Channel