Australi, martesat ‘gay’, populli nuk do të mund të votojë

11/10/2016 00:00

Martesat mes të njëjtit seks në Australi mund të shtyhen edhe për të paktën 3 vjet të tjera, pasi partia opozitare e laburistëve njoftoi të martën se nuk do të mbështeste legjislacionin për një votim kombëtar lidhur me çështjen.

Koalicioni i qendrës së djathtë në pushtet prezantoi një projektligj muajin e kaluar në Parlament, për të zhvilluar një votim publik në shkurt të 2017-s për ligjërimin ose jo të lidhjeve homoseksuale.

Projektligji duhej të mbështetej nga disa prej ligjvënësve opozitarë pasi koalicioni liberalkombëtar i kryeministrit Malcolm Turnbull gëzon shumicën në dhomën e ulët të Parlamentit, por jo në Senat.

Disa deputetë të pavarur kanë refuzuar të mbështesin votimin kombëtar dhe tani me vendimin e laburistëve, rrezohen të gjitha shpresat që projektligji të miratohet në Parlament.

“Përse duhet që një çift i impenjuar në një lidhje të trokasë metaforikisht në dyert e 15 milionë australianëve për të mësuar nëse janë dakord me ta. Mënyra më e lehtë është ajo që Parlamenti ka zbatuar për qindra vite, formulimi i një ligji e me pas diskutimi i tij”.
Refuzimi është një goditje për Turnbull, i cili po përjeton një rënie të popullaritetit.

“Kjo është një çështje tepër e rëndësishme që prej të gjithë australianët dhe ne besojmë se populli duhet ta thotë fjalën e tij”.

Martesat mes të njëjtit seks mbështeten nga 61 përqind e australianëve, sipas një sondazhi të Gallup të zhvilluar në muajin gusht.

Kryeministri ka thënë se nëse projektligji do të refuzohet çështja nuk do të trajtohet më ne Parlament deri pas zgjedhjeve të ardhshme që pritet të mbahen në nëntor të 2019-s.

Top Channel